Pas disa ndryshimeve ligjore, mbiemrat e përbërë (të lidhur me vizë) lejohen sërish në Zvicër, por vetëm për të rriturit.

Pasi ishin ndaluar në Zvicër që nga viti 2013, çiftet e martuara do të kenë sërish mundësinë të përdorin një mbiemër të përbërë duke filluar nga 1 janari 2027. Kjo do të jetë pjesë e procedurës së regjistrimit të martesës; çiftit thjesht i kërkohet të deklarojë se dëshiron një mbiemër të përbërë.

Me miratimin e kësaj rregulloreje, Zvicra kthehet, në thelb, në një sistem të ngjashëm me atë që ishte në fuqi para vitit 2013.

Në atë kohë, veçanërisht gratë e përdornin këtë mundësi për të mbajtur si mbiemrin e vajzërisë, ashtu edhe atë të bashkëshortit, me ose pa vizë lidhëse midis tyre.

Megjithatë, kombinime të tilla nuk do të lejohen për fëmijët, të cilët do të kenë vetëm një mbiemër ose atë të nënës, ose atë të babait, raporton thelocal, transmeton albinfo.ch.

Pse ndodh kjo?

Arsyeja është thjesht praktike: për të shmangur grumbullimin e mbiemrave ndër breza.

Le të marrim shembullin e një fëmije që “trashëgon” mbiemrin e përbërë të prindërve të tij, p.sh. Schweizer-Meyer.

Vite më vonë, ky individ martohet me një person tjetër që ka mbiemër të përbërë, p.sh. Favre-Sutter, dhe ata vendosin ta vazhdojnë traditën duke ua kaluar mbiemrat e tyre të përbërë edhe fëmijëve të tyre.

Si pasojë, fëmija, në varësi të legjislacionit në fuqi në momentin e lindjes, mund të përfundojë me një mbiemër si Schweizer-Meyer-Favre-Sutter. Një emër i tillë do të ishte tejet i gjatë dhe, me gjasë, një barrë e rëndë për t’u mbajtur, që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën madhore.

Por ka edhe përjashtime.

Rregulli i “një mbiemri të vetëm” vlen vetëm për fëmijët që janë shtetas zviceranë.

Nga ana tjetër, rregullat janë më fleksibël për fëmijët e lindur në Zvicër nga prindër të huaj.

Nëse shteti i origjinës së fëmijës lejon mbiemrat e përbërë ose nëse emra të tillë janë të zakonshëm atje, prindërit mund të kërkojnë që zyra zvicerane e gjendjes civile ta regjistrojë fëmijën e tyre me atë mbiemër.

I njëjti rregull vlen edhe për personat me shtetësi të dyfishtë pra, për shtetasit zviceranë që kanë fituar nënshtetësinë, por kanë ruajtur edhe shtetësinë e vendit të tyre të origjinës. Edhe ata mund të kërkojnë që fëmijës së tyre t’i vihet një mbiemër i përbërë.