Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar alokimin e mjeteve financiare për realizimin e një sërë projektesh infrastrukturore në komuna të ndryshme të vendit, ndër të cilat përfitojnë edhe Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Graçanicës.

Sipas vendimit të miratuar, do të financohet rehabilitimi i segmentit të rrugës “Agron Rrahmani” në Fushë Kosovë, një projekt që synon përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, mbështetje financiare do të marrë edhe rehabilitimi i rrugës Uglari në Komunën e Graçanicës.

Autoritetet vlerësojnë se këto investime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës lokale, lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe rritjen e sigurisë në trafik.

Projektet pritet të nisin pas përfundimit të procedurave të nevojshme administrative dhe implementuese.