Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime.
Fillimisht, qeveria miratoi vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit të Projektligjeve për vitet 2026-2028, transmeton IndeksOnline.
Më pas, ekzekutivi miratoi vendimin për emërimin e Komisionit të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën, “Drejtor ekzekutiv” në Inspektoratin Qendror të Punës.
Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën, “Komisioner për Gjuhët” në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.
Nga ana tjetër, u miratua edhe vendimi për emërimin e Komisionit të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën, “Sekretar i Përgjithshëm” në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Qeveria po ashtu miratoi edhe vendimin për korrigjimin e vendimit të Qeverisë Nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.
Në fund të mbledhjes, u miratua edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të mbulimit të mungesës së mjeteve financiare për muajin nëntor 2026, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa.
