Qindra familje franceze kanë dorëzuar sot në Prokurorinë e Parisit një padi kolektive kundër rrjetit social TikTok, me akuzën e “shfrytëzimit të dobësisë” së të miturve. Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi Franceinfo.

Të përfaqësuara nga avokatja Laure Boutron-Marmion, familjet akuzojnë platformën për shfrytëzimin e cenueshmërisë së të miturve, gjë që në disa raste ka çuar në vetëvrasje dhe çrregullime të rënda të shëndetit mendor.

“Kemi të bëjmë me një sistem të projektuar dhe zhvilluar për të shfrytëzuar këtë cenueshmëri. TikTok-u krijon burgje mendore dhe burgje ankthi për adoleshentët,” deklaroi Boutron-Marmion për Franceinfo.

Avokatja e krahasoi ndikimin e TikTok-ut me një “krizë dixhitale”. Padia ka në shënjestër drejtuesit e platformës në Francë dhe ndërkombëtarisht, duke theksuar se TikTok është plotësisht i ndërgjegjshëm për funksionimin e algoritmit të tij të rekomandimeve.

“Është një sistem rekomandimesh tejet i personalizuar dhe me një lëvizje të pandërprerë që gjeneron varësi të fortë dhe shfrytëzon cenueshmërinë e adoleshentëve,” theksoi ajo. “Ata i dinë shumë mirë efektet e platformës, por nuk ndërmarrin asnjë veprim,” shtoi Boutron-Marmion.

Avokatja sqaroi se familjet kërkojnë që TikTok të sillet para një gjykate penale franceze për shfrytëzim të dobësisë, përveç çështjeve civile tashmë në proces. “Ata nuk dëshirojnë të ndalen vetëm te një ankesë e thjeshtë,” përfundoi ajo. Disa prej familjeve të përfshira kanë humbur fëmijët e tyre nga vetëvrasja, ndërsa të tjera raportojnë raste të anoreksisë, depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse.

Padia gjithashtu kërkon një rregullim më të rreptë të mediave sociale, duke përfshirë një ndalim të mundshëm për përdoruesit nën moshën 15-vjeçare, një ide që po diskutohet aktualisht në Francë.