Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin Shqipëri-Izrael, i cili bashkoi 40 kompani inovative me synimin për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë shqiptare përmes teknologjive të avancuara.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe trajtoi çështjen e sulmeve kibernetike iraniane. Ai shpjegoi se regjimi iranian reagoi në këtë mënyrë pas strehimit nga Shqipëria të mijëra anëtarëve të opozitës iraniane, duke sulmuar infrastrukturën dixhitale të vendit.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se Izraeli veproi si një aleat, duke ofruar mbështetje pas agresionit iranian. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria nuk njeh antisemitizmin dhe do të vazhdojë të jetë një shtëpi për hebrenjtë.

“Izraeli është një shembull i jashtëzakonshëm se si dija, dhe jo burimet, mund të bëjë diferencën. Ne besojmë fort te kjo marrëdhënie dhe kemi arsye të forta për këtë. Kjo vjen jo vetëm për shkak të historisë sonë, një histori lidhjeje e krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre, kur Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si i vetmi vend në Evropë që numëronte më shumë hebrenj se para fillimit të luftës. Kjo, mbi të gjitha, falë myslimanëve shqiptarë, të cilët i mirëpritën hebrenjtë si vëllezër e motra dhe rrezikuan jetët e tyre për t’i mbrojtur,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se kjo është një histori që Shqipëria e mban fort dhe po përpiqet t’ia rrëfejë brezit të ri, jo vetëm për hir të hebrenjve, por edhe për vetë shqiptarët. “Për mënyrën se si duhet të paraqitemi para botës dhe si duhet të përgatitemi për të ardhmen, jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për të tjerët,” vazhdoi Rama.

Lidhur me strehimin e opozitarëve iranianë, kryeministri deklaroi: “Ne i hapëm dyert disa mijëra iranianëve të opozitës dhe këtë nuk e bëmë me motive politike; e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush tjetër nuk donte t’i shpëtonte. Ne u ofruam strehim dhe arritëm një marrëveshje, e cila vijon të jetë në fuqi, që ata të mund të jetojnë në Shqipëri, të rrisin fëmijët e tyre këtu pa asnjë rrezik, për aq kohë sa është e nevojshme.”

Rama përfundoi duke theksuar se ky veprim shkaktoi hakmarrjen e regjimit iranian, i cili nuk e toleroi këtë gjest dhe sulmoi Shqipërinë. “Ai sulmoi atë që kishim ndërtuar pa pushim për vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike. Izraeli u tregua mik dhe na ofroi ndihmë,” tha Kryeministri.