Rama paralajmëron renovimin e shkollës “Ismail Qemali” pas përfundimit të shkollave të reja
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se renovimi i shkollës “Ismail Qemali” do të realizohet pas përfundimit të disa projekteve të reja shkollore në kryeqytet.
“Aktualisht jemi duke ndërtuar 10 shkolla në pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Tre prej tyre tashmë kanë përfunduar, dhe presim që edhe tre të tjera të përfundojnë. Kjo do të na japë mundësinë të ndërhyjmë edhe në shkollat ekzistuese, pasi ato janë të mbingarkuara si pasojë e mungesës së objekteve fizike për të plotësuar nevojat nëpër lagje të tjera. Një numër i madh nxënësish vijnë këtu edhe nga lagje të tjera pikërisht për këtë arsye. Megjithatë, jemi shumë pranë përfundimit të shkollave të reja dhe, sapo ato të përfundojnë, do të kemi mundësi të nisim ndërhyrjet edhe në shkollën si “Ismail Qemali”,” theksoi Rama.
Ai theksoi se Komuna synon që, gjatë viteve të ardhshme, të kalojë gradualisht në sistemin e mësimit tërëditor, duke përmirësuar kushtet për nxënësit dhe mësimdhënësit. Sipas tij, investimet në arsim po vazhdojnë, përfshirë digjitalizimin e shkollave dhe pajisjen me mjete bashkëkohore.
Rama shtoi se gjatë këtij viti nuk pritet nisja e projektit madhor për renovimin e plotë të shkollës “Ismail Qemali”, por do të vazhdojnë ndërhyrjet dhe restaurimet e pjesshme. Ai theksoi se plani është që renovimi të zhvillohet me faza, pa pasur nevojë për zhvendosjen e nxënësve, duke shfrytëzuar kapacitetet e shkollave të reja që janë në përfundim e sipër.
Sipas tij, me përfundimin e objekteve të reja arsimore, do të lehtësohet mbingarkesa në shkollat ekzistuese dhe do të krijohen kushte për renovime të plota, përfshirë edhe shkollën “Ismail Qemali”.
