Prishtina, Qendër e Festimit të 250-vjetorit të SHBA-së: Rama thekson Partneritetin Vizionar
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 2 korrik, kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjes qendrore “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years”. Kjo ngjarje, pjesë e programit zyrtar për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, synon të theksojë partneritetin e thellë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, Rama theksoi se miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është një partneritet i ndërtuar mbi themelet e lirisë, demokracisë dhe besimit të ndërsjellë, një lidhje që ka formësuar të kaluarën dhe vazhdon të ndërtojë të ardhmen e dy vendeve.
Më tej, Rama bëri të ditur se kishte mirëpritur në Kryeqytet një delegacion nga Uashingtoni D.C., të udhëhequr nga Faton Bislimi, në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”. Në këtë delegacion ishin të pranishëm personalitete të shquara si Profesor Daniel Serwer, Profesor Edward P. Joseph, Besa Pinchotti, Major Mario Marquez dhe filantropi Ramiz Tafilaj, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA.
Gjatë takimeve, u diskutua për rëndësinë e 250-vjetorit të demokracisë amerikane, rrugëtimin e Kosovës si shtet i lirë dhe demokratik, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në vitet e ardhshme. Kryetari Rama e mbylli postimin duke nënvizuar se Kosova do të jetë gjithmonë krenare dhe mirënjohëse për aleatin e saj më të madh.
