Qeveria do të ndihmojë bizneset e vogla të dëmtuara nga protestat, premton Rama: “Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të ofrojë mbështetje për bizneset e vogla të prekura nga dëmtimet gjatë protestave të dhunshme. Për këtë qëllim, në platformën e-Albania është hapur një seksion i posaçëm për deklarimin e dëmeve, ndërsa 10 grupe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë angazhuar në terren për verifikimin e tyre.

Rama sqaroi se, përmes këtij seksioni online, bizneset mund të regjistrojnë dëmet duke plotësuar të dhëna si emri, mbiemri, NIPT-i, e-mail-i, numri i celularit, sipërfaqja e biznesit, emri i kompanisë së sigurimit dhe një parashikim i dëmit. Gjithashtu, do të kërkohet ngarkimi i dokumenteve mbështetëse, si pamje fotografike dhe fatura. Ai theksoi se do të verifikohet edhe statusi i detyrimeve tatimore të bizneseve ndaj shtetit, një detaj kyç për marrjen e ndihmës.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe mbledhjes së regjistrit të dëmeve, qeveria premton se do t’u vijë në ndihmë të gjitha subjekteve të dëmtuara. Kryeministri përsëriti angazhimin e tij për të mbështetur çdo biznes të prekur nga “vala e dhunës së verbër”, duke garantuar se “do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”.