Raporti i ekspertëve britanikë thekson shqetësimet për funksionimin e Speciales

Një raport i ekspertëve britanikë ka konfirmuar shqetësimet e hershme rreth funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si “Specialja”. Këtë e ka bërë të ditur Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke cituar raportin preliminar të “Bar Human Rights Committee of England & Wales”.

Raporti, i hartuar nga ky autoritet i pavarur ndërkombëtar, thekson shqetësime serioze që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm, si dhe kufizimet në komunikimet familjare e profesionale me ekipet mbrojtëse.

Qelaj theksoi se ky raport përputhet plotësisht me shqetësimet e ngritura më parë nga vetë Institucioni i Avokatit të Popullit. Lidhur me çështjen e paraburgimit, raporti e cilëson si problematikë serioze pamundësinë e lirimit të të akuzuarve në Holandë, ku zhvillohen procedurat penale. Kjo situatë krijon një pengesë strukturore, e cila rëndon ndjeshëm pozitën e personave të akuzuar.

Numri i vogël i lirimeve të parakohshme, pavarësisht kalimit të disa viteve nga fillimi i proceseve dhe paraburgosja e personave, shërben si dëshmi konkrete e këtyre shqetësimeve të ngritura në raport. Ky zhvillim pritet të ndiqet me vëmendje, pasi ngre pikëpyetje thelbësore mbi të drejtat e të paraburgosurve në Speciale.