Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Shqipërinë thekson rolin kyç të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në luftën kundër korrupsionit. Ky vlerësim i fundit për situatën politike, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend, evidenton përparime në disa fusha, por ngre gjithashtu shqetësime për korrupsionin, transparencën institucionale dhe nevojën për reforma të mëtejshme.

Sipas raportit të publikuar nga Këshilli Konsultativ i Sigurisë Jashtë Shtetit (OSAC), një strukturë e DASH-it, proceset zgjedhore të fundit në Shqipëri kanë qenë më të qeta dhe më të balancuara krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë probleme që lidhen me financimin e fushatave, përdorimin e burimeve publike dhe klimën politike.

Raporti thekson se zgjedhjet në Shqipëri historikisht janë shoqëruar me shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në procesin zgjedhor. Sidoqoftë, sipas vlerësimit të tij, zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u zhvilluan përgjithësisht në një atmosferë të qetë.

OSAC përmend se janë raportuar disa raste të izoluara parregullsish, të cilat përfshinin kandidatë dhe mbështetës të tyre. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vlerësuar se këto raste nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, një mision i përbashkët ndërkombëtar vëzhgimi, i përbërë nga OSBE-ja, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian, ka kërkuar një reformë të plotë të sistemit zgjedhor.

Gjithashtu, OSAC ka evidentuar raste ku persona janë mbajtur për periudha të gjata për intervistim, pa u arrestuar zyrtarisht, duke ngritur shqetësime për zbatimin praktik të garancive ligjore.