**Ekstradohet në Kosovë Edon Bytyqi, mashtroi qytetarët duke u hequr si zëvendësdrejtor policie**

Edon Bytyqi, i dyshuar për mashtrim të qytetarëve duke u prezantuar me emrin e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, është ekstraduar sot në Kosovë. KALLXO.com raporton se Bytyqi është sjellë në Kosovë rreth orës 21:00, pas arrestimit të tij jashtë vendit.

Ai dyshohet se ka kryer edhe dy raste të tjera mashtrimi në rajonin e Mitrovicës. Kartela e tij penale përmban gjithashtu 14 vepra të tjera të ngjashme mashtrimi.

Autoritetet e sigurisë e kishin shpallur në kërkim Bytyqin më 23 tetor 2023. Dyshohet se ai, përmes paraqitjes së rreme dhe me qëllim të përfitimit të paligjshëm, ka shfrytëzuar emra të personave publikë dhe zyrtarëve për të mashtruar qytetarët, duke u kërkuar atyre të dërgojnë para përmes institucioneve të transfertave financiare.

Në lidhje me këto akuza, hetuesit policorë kishin paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Për shkak se Bytyqi ndodhej në Bosnjë e Hercegovinë, kallëzimi penal ndaj tij ishte paraqitur në mungesë.

Më parë, në shtator të vitit 2023, i dyshuari kishte kontaktuar qytetarë përmes telefonatave, duke u prezantuar si Veton Elshani dhe duke u kërkuar para. Kishte kërkuar 1 mijë euro, duke pretenduar se i nevojiteshin për shërimin e një fëmije të sëmurë. Në lidhje me këtë rast, dy ankues, viktima të mashtrimit, ishin intervistuar nga Policia.