**Lipjan: Zyrtari i Ministrisë për Familje siguron se 6 fëmijët e tjerë janë nën kujdes institucional**
Blerim Shabani, zyrtar në Ministrinë për Familje, ka dhënë detaje në një konferencë për media lidhur me rastin e rëndë të keqtrajtimit të një 5-vjeçari në Lipjan, i cili dyshohet se është abuzuar nga prindërit e tij.
Shabani theksoi se gjashtë fëmijët e tjerë të kësaj familje janë vendosur në një vend të sigurt dhe po marrin përkujdesjen e duhur.
“Fëmijët janë vendosur në një vend të sigurt dhe janë duke marrë përkujdesjen institucionale në përputhje me përgjegjësitë e të gjitha mekanizmave zyrtarë”, u shpreh ai para mediave.
Ai shtoi se Ministria për Familje nuk ka përgjegjësi direkte për ofrimin e shërbimeve sociale për individët në nevojë. Shabani bëri thirrje që raste të tilla të rënda të raportohen menjëherë te organet kompetente.
Kujtojmë se vogëlushi 5-vjeçar i është nënshtruar një operacioni kirurgjik, pasi rrezikonte amputimin e shputave të këmbëve si pasojë e plagëve nga keqtrajtimi. Prindërit e tij janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
