Krasniqi i del në mbrojtje Ramës: Sulmet e VV-së, pasojë e humbjeve në Prishtinë

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka shprehur mbështetje për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili po përballet me sulme të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Krasniqi theksoi se sulmet e partisë në pushtet ndaj Ramës lidhen me humbjet e VV-së përballë LDK-së në zgjedhjet lokale në Prishtinë.

Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Krasniqi i ka rikujtuar Dejona Mihalit përgjegjësitë institucionale të Qeverisë së Kosovës.

“Kush je ti, Dejona Mihajlli? Qytetarët e Prishtinës për dy mandate e kanë zgjedhur Përparim Ramën para “kukullave” të propozuara nga ti. Kur një figurë pa identitet si Dejona sulmon kryetarin e Prishtinës, kjo tregon se sa thellë janë traumatizuar nga humbjet që kanë përballë LDK-së dhe kryetarit Përparim Rama në Prishtinë. Ti, Dejona, dhe Kryeministri Kurti keni përgjegjësi të ofroni siguri për qytetarët e vendit dhe turp ju qoftë për papërgjegjësinë e treguar”, ka shkruar Krasniqi.