Qumështorja Vita sërish me kërkesë drejtuar Ministrisë dhe AUV: “Publikoni rezultatet!”
**Prishtinë, 16 korrik 2026** – Qumështorja Vita ka kërkuar sërish publikimin e rezultateve të analizave të cilat vazhdojnë të mbahen pa u bërë publike nga Ministria dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Kompania shprehet e habitur për mungesën e rezultateve, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se dy javë nga data e marrjes së mostrave.
Në një njoftim për opinionin publik, Qumështorja Vita rikujton se më 6 korrik 2026 kishte njoftuar rifillimin e grumbullimit të qumështit nga fermerët, pas premtimeve të dhëna nga Ministri Muja dhe përfaqësuesit e AUV-së se rezultatet e analizave të mostrave do të publikoheshin jo më larg se data 13 korrik 2026.
“Sot jemi më 16 korrik 2026 dhe, pavarësisht shumë emaileve dhe kërkesave zyrtare të drejtuara Ministrisë dhe AUV-së, rezultatet e analizave të mostrave po mbahen në AUV dhe nuk po publikohen nga Ministria apo AUV,” theksohet në deklaratën e kompanisë.
Qumështorja Vita shpreh paqartësinë për arsyen pse AUV nuk është në gjendje të përcjellë rezultatet e analizave të marra më 2 korrik 2026, duke vënë në pah se kanë kaluar më shumë se dy javë nga ajo datë. Ata e krahasojnë këtë situatë me rezultatet e mostrave të marra në Dogana nga produktet e importuara, të cilat publikohen brenda ditës.
“Ne i dimë rezultatet, sepse e dimë se çfarë përpunojmë dhe si e bëjmë punën. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe, përveçse 100% qumësht,” shprehet Vita, duke kërkuar me urgjencë dërgimin e rezultateve të analizave të mostrave të datës 2 korrik 2026. Qëllimi është që “edhe ata që kishin dyshime, të binden se Qumështi Vita është 100% qumësht.”
Në fund të njoftimit, kompania thekson: “Fermerët nuk meritojnë heshtje. Qytetarët nuk meritojnë paqartësi. Kosova meriton institucione që mbajnë fjalën e dhënë! VITA do të vazhdojë të qëndrojë në anën e fermerëve, të transparencës dhe të së vërtetës. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari publikimin e plotë të fakteve, sepse vetëm faktet mund t’u japin fund spekulimeve dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve.”
Qumështorja Vita e mbyll deklaratën me një thirrje të prerë: “Ministër, AUV, publikoni rezultatet!”
