**Rexhepi (NDS): Vetëvendosje dhe komunitetet joserbe kanë 61 vota për Qeverinë**
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Kosova pritet të hyjë në fazën e formimit të institucioneve të reja. Me hapjen e procedurave në Kuvend, vëmendja do të përqendrohet në zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, krijimin e Qeverisë dhe sigurimin e shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Lidhur me këtë proces, kryetarja e partisë Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, ka deklaruar për “Front Online” se pret certifikimin e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Rexhepi theksoi se fillimisht do të votohet për kryetarin e Kuvendit dhe më pas për formimin e Qeverisë. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe me 53 deputetë, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, përveç atij serb, sigurojnë 61 vota të mjaftueshme.
“Presim rezultatet zyrtare në mënyrë që të hapet rruga për formimin e institucioneve. Së pari do të votojmë për kryetarin e Parlamentit, pastaj për Qeverinë me në krye Albin Kurtin, pasi konsideroj se VV-ja, si partia më e madhe shqiptare me 53 deputetë, së bashku me ne deputetët jo-shumicë jo-serbë, ka 61 vota. Në këtë rast, mendoj se nuk është i domosdoshëm përfshirja e partive të tjera politike”, u shpreh ajo.
Gjithsesi, Rexhepi la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me forcat e tjera politike në fazën e zgjedhjes së presidentit. Për këtë proces, ajo theksoi se “është e nevojshme prania e 80 deputetëve ose sigurimi i 80 votave në sallë, në mënyrë që të fillojë procedura e votimit. Këtu nevojitet mbështetja e deputetëve të tjerë, nëse nuk ka ndonjë koalicion të mëparshëm”.
