**Rezoluta amerikane për Kosovën në NATO, ish-ambasadori: Hap pozitiv për sigurinë**

Diplomati Gazmend Turdiu ka komentuar një rezolutë të fundit të paraqitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mbështet aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ai e cilësoi këtë nismë si një hap politik pozitiv, duke theksuar se ajo do të përbënte garancinë përfundimtare të sigurisë së Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është tejet i rëndësishëm, pasi do të ishte garantimi i plotë i sigurisë së shtetit të Kosovës. Një anëtar i NATO-s gëzon mbrojtje të plotë, ashtu si çdo anëtar tjetër. Paraqitja e kësaj projekt-rezolute për miratim është një akt pozitiv, jo domosdoshmërisht një risi, por një hap i rëndësishëm dhe një gjest politik në favor të Kosovës, si dhe në shërbim të interesave të sigurisë në rajonin tonë,” deklaroi Turdiu për Euronews Albania.

Megjithatë, diplomati theksoi se procesi i anëtarësimit mbetet i vështirë, kryesisht për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga katër vende anëtare të Aleancës. Ai shtoi se një pengesë tjetër janë edhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

“Pika kryesore dhe pengesa e anëtarësimit të Kosovës në NATO është mosnjohja nga katër vende. Argumenti se vendimi merret me konsensus është i saktë, por jo i plotë. Anëtarët e NATO-s janë shtete, dhe nëse jo të gjithë anëtarët e njohin Kosovën si shtet, mendoj se është e vështirë të shtrohet qoftë edhe për diskutim. Marrëdhëniet e SHBA-së me NATO-n si organizatë dhe me anëtarët e saj janë bërë problematike, veçanërisht pas deklaratave të fundit të ish-presidentit Trump,” përfundoi Turdiu.