Gianni Rivera, legjenda e Milanit, ka shprehur ashpër kundërshtimin e tij ndaj projektit për ndërtimin e një stadiumi të ri për Milanin dhe Interin, duke mbrojtur fort mbijetesën e “San Siros” historik.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, pas prezantimit të detajeve të projektit të ri pranë stadiumit aktual, Rivera u shpreh i pakënaqur me vendimin që synon t’i japë fund një epoke të rëndësishme të futbollit italian.

“San Siro është një monument për qytetin e Milanos dhe objekti aktual është ende perfekt për të luajtur. Po e shembin për t’i hapur rrugë diçkaje që nuk ka asnjë arsye të ekzistojë. Më vjen keq për atë që e mori këtë vendim,” deklaroi Rivera.

Ish-futbollisti legjendar kritikoi gjithashtu komercializimin e futbollit modern, sidomos tendencën për t’ua dhënë emrat e stadiumeve sponsorëve që paguajnë më shumë, në vend që të nderohen figurat historike të klubeve. “Në vend që ta emërojnë stadiumin sipas atyre që bënë historinë e klubit, ia japin atij që paguan më shumë. Imagjinoni sa të lumtur do të jenë tifozët!” theksoi ai me ironi.

Rivera zbuloi se do të kishte preferuar shumë që stadiumi i ri të mbante emrin e tij dhe të legjendës së Interit, Sandro Mazzola. “Do të më kishte pëlqyer jashtëzakonisht shumë sikur stadiumi i ri të mbante emrin tim dhe të mikut tim, Sandro Mazzola,” përfundoi ish-ylli i Milanit.

Ndërsa projekti i ri synon të hapë një kapitull të ri për dy klubet e mëdha të Milanos, Milanin dhe Interin, vendimi për t’i dhënë fund epokës së “San Siros” vazhdon të ngjallë debat të fortë mbi ruajtjen e trashëgimisë historike të futbollit italian.