Në Gjermani ka nisur sërish një debat mbi kufizimin e përkohshëm të shpejtësisë në autostrada, me qëllim kursimin e karburantit, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës.
Ekonomistja Veronika Grimm, anëtare e Këshillit të Ekspertëve të Zhvillimit Ekonomik të qeverisë gjermane, shprehet pro futjes së kufizimeve. Ajo theksoi për gazetën “Rheinische Post” se kjo “nuk do të ishte turp – ndoshta edhe një sinjal i zgjuar për t’i bërë njerëzit të kuptojnë seriozitetin e situatës”.
Grimm vlerëson se masat e marra deri tani nga qeveria nuk janë efektive. Sipas saj, “qeveria duhet t’i lërë çmimet të funksionojnë për të ulur kërkesën për energji.” Ajo i konsideron subvencionet shtetërore të karburantit, kufizimet administrative të çmimeve dhe taksat mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës si “rruga e gabuar”, shkruan Deutsche Welle. Ajo përmendi edhe vendet e “jugut global” ku “po zbatohen masa drastike, të tilla si puna e detyrueshme nga shtëpia dhe kufizimet në përdorimin e automjeteve.” Grimm shpjegoi se “sa më shumë shpenzojmë, aq më keq përfundon për ato vende.”
Presidenti i të Gjelbërve, Felix Banaszak, kërkoi futjen e një kufizimi të përkohshëm të shpejtësisë, duke thënë për revistën “Spiegel” se kjo “zvogëlon menjëherë konsumin e karburantit, ul çmimet dhe në solidaritet thjesht ndihmon të gjithë ata që varen nga një makinë për punë.” Kolegia e tij e partisë, Ricarda Lang, kërkoi të drejtën për të punuar nga shtëpia për të lehtësuar barrën mbi punonjësit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka këshilluar më parë masa për uljen e konsumit të karburantit, duke theksuar se puna nga shtëpia, kufizimet e shpejtësisë dhe kalimi në transportin publik mund të jenë të dobishme përballë krizës energjetike.
Kufizimet e shpejtësisë në autostrada janë diskutuar vazhdimisht në Gjermani, shpesh në kontekstin e mbrojtjes së mjedisit ose sigurisë rrugore. Partitë SPD, të Gjelbrit dhe e Majta janë pro kufizimeve, ndërsa Unioni (CDU/CSU), AfD dhe FDP kundërshtojnë. Politikani i CDU-së, Patrick Schnieder, deklaroi së fundmi në stacionin ARD se kufizimi i shpejtësisë “nuk është ndonjë gjë e madhe” në masat shtrënguese, duke shtuar: “Në kontekstin e përgjithshëm është mjaft i vogël. Ne duhet të propozojmë masa që njerëzit mund t’i pranojnë, që mund t’i përballojnë dhe që janë ekonomikisht të qëndrueshme.”
Gjermania mbetet praktikisht i vetmi vend me një rrjet autostradash mbi 13 mijë kilometra pa kufizim të përgjithshëm shpejtësie. Megjithatë, kufizimet aplikohen në pjesë të mëdha të këtij rrjeti për arsye të tjera, dhe dendësia e trafikut shpesh pengon drejtimin me shpejtësi të lirë.
