Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë.
Në një konferencë për media, përpara takimin ministror të NATO-s, Rutte shtoi se Aleanca Veriatlantike është gjithnjë e më shumë e angazhuar në sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve në të dy anët e Atlantikut, shkruan IndeksOnline.
“Kur shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm”, tha Rutte.
Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk po tërhiqen nga Evropa duke njoftuar shkurtime të forcave që i vënë në dispozicion aleancës
“Duke shikuar përpara në këtë moment shohim se KFOR-i ka një forcë prej rreth 4700 trupash. Ajo që do të bëjmë është që të kthehemi në praninë që kishim para vitit 2023. Natyrisht kjo do të varet nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3000 dhe 3500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë”, shtoi Rutte.
Disa ditë më parë, NATO njoftoi se do të ulë numrin e trupave në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, i cili përbëhet nga rreth 4.600 ushtarë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Kushtet aktuale ofrojnë mundësinë për të optimizuar më tej madhësinë dhe praninë e KFOR-it”, ka shpjeguar gjenerali amerikan Alexus Grynkeëich, komandant suprem i forcave aleate të NATO-s në Evropë./IndeksOnline/
