Maskat kundër Koronavirusit: Si na mbrojnë dhe si t’i mirëmbajmë
Në kohën e pandemisë së koronavirusit, mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme në shumë vende të botës. Por, sa efektive janë ato dhe nga çfarë na mbrojnë realisht?
Mbajtja e maskave u bë e detyrueshme në shumë zona të Kinës që prej fillimit të shpërthimit të virusit, siç raporton DW. Sot, shumë vende të tjera po ndjekin këtë shembull; Austria ka vendosur detyrimin për klientët e supermarketeve për të mbajtur maska, ndërsa kjo masë po diskutohet edhe në Gjermani.
Rregullat e vendosura për mbajtjen e maskave synojnë më pak mbrojtjen e bartësit dhe më shumë atë të personave të tjerë, nga grimcat e mundshme infektive që mund të përhapë një individ. Meqenëse një person i infektuar mund të jetë bartës i virusit edhe para shfaqjes së simptomave, praktikisht të gjithë konsiderohen përhapës të mundshëm. Logjika pas detyrimit të mbajtjes së maskës është se, nëse të gjithë i përmbahen kësaj rregulle, ulet ndjeshëm rreziku i përgjithshëm i infeksionit në shoqëri.
Ekspertët theksojnë se maskat kirurgjikale duhet të ndërrohen çdo dy orë, pasi humbasin funksionin e tyre mbrojtës nëse mbahen për një kohë të gjatë. Edhe maskat prej cope kërkojnë ndërrim të vazhdueshëm dhe larje me ujë të nxehtë për të eleminuar viruset. Megjithatë, duhet theksuar se maskat kirurgjikale ofrojnë mbrojtje të kufizuar ndaj infeksioneve për vetë bartësin. Theksohet gjithashtu rëndësia e të mos prekurit të hundës apo fërkimit të syve me duar.
Maskat me aftësi filtruese më të lartë janë ato të përdorura nga profesionistë në industri apo ndërtim, të cilat mbrojnë nga tymrat, gazrat dhe aerosolët e dëmshëm.
