**Autostrada Shkup-Bllacë: Zëvendësministrja Zekolli pret dritën jeshile nga BERZH, sërish vonesa**
Vazhdon saga për segmentin 10 kilometra të autostradës “Shkup-Bllacë”. Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli deklaron se po pritet sinjali nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të nisur punimet.
Kompania vendore e përzgjedhur përmes tenderit do të kryejë punimet. Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, segmenti i dytë i rrugës Shkup-Bllacë do të jetë me statusin e autostradës, duke hedhur poshtë zërat në opinion se projekti mund të ndryshohej në rrugë magjistrale (ekspres) për të ulur kostot. Më parë, si Ministri Aleksandër Nikollovski ashtu edhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli kishin deklaruar për TV21 se punimet për segmentin e dytë në terren do të fillonin më së voni në janar 2026. Ky afat u tejkalua gjithashtu, dhe afati i ri mbetet i panjohur.
“Ne u përpoqëm të eliminojmë ngatërresat në fazën e projektimit dhe kemi arritur në fazën e përfundimit të tenderit. Procedura e tenderimit ka përfunduar dhe, fatmirësisht, është brenda buxhetit të parashikuar, pasi ishte shqetësuese mundësia e tejkalimit të tij. Ky është realisht një ndër projektet më të kushtueshme në Evropë, por u përmbyll. Vlerësimi ka përfunduar! Ju e dini që kemi një grant dhe një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe fjala e fundit i takon atyre. Ne, si Ministri, e kemi përfunduar punën tonë së bashku me N.P. ‘Rrugët Shtetërore’; dokumentacioni ndodhet në zyrat e kësaj banke dhe presim prej tyre një sinjal pozitiv për të filluar punimet sa më shpejt”, deklaroi Kaltrina Zekolli.
Opozita shqiptare akuzon qeverinë se po lë pas dore projektet që lidhen me infrastrukturën në vendbanimet shqiptare. Nga BDI-ja akuzojnë VLEN-in se nuk po ndërmerr masa. Faton Pollozhani deklaroi: “Sot jemi në një situatë ku një projekt po anulohet, ndërsa një tjetër, ai Shkup-Bllacë, po kthehet nga autostradë në rrugë ekspres, ndërsa VLEN hesht dhe sillet sikur asgjë nuk po ndodh me këto vendime. Ata ose heshtin, ose justifikojnë vendime të dëmshme, ose sillen si spektatorë në qeverinë ku vetë janë pjesë. Kjo nuk është politikë. Ky është nënshtrim politik. Kjo heshtje nuk është neutrale. Kjo heshtje është miratim, dhe pajtimi me vendime që dëmtojnë interesat strategjike të qytetarëve përbën tradhti politike ndaj votuesve të tyre”.
Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, me gjatësi 12.5 kilometra, është premtuar prej më shumë se 15 vitesh nga VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI, ndërsa vetë ideja është mbi dy dekada e vjetër. Ajo nuk arriti të ndërtohej plotësisht nga asnjë qeveri. Segmenti i parë prej dy kilometrash është përfunduar, por nuk të çon askund, ndonëse ka kushtuar jo më pak se 57 milionë euro. Ndërkohë, nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” është ndërtuar para shtatë vitesh, me gjatësi 65 kilometra – nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Prishtinë. Ndërtimi i kësaj autostrade i mori fqinjit tonë vetëm pesë vjet.
