Sara Gjordeni konfirmon shtatzëninë e dytë dhe sqaron spekulimet për gjininë e foshnjës

Sara Gjordeni ka konfirmuar zyrtarisht se është në pritje të fëmijës së dytë, ndërsa ka adresuar edhe spekulimet që kanë qarkulluar në mediat sociale lidhur me gjininë e foshnjës.

Përmes një postimi në rrjetet e saj sociale, ajo tregoi se ka marrë një lumë urimesh nga ndjekësit, duke pranuar se emocionet e kanë prekur thellë, deri në lot.

Në mesazhin e saj, Gjordeni shkroi: “Foshnja është shumë mirë, por kjo është një shtatzëni të cilën nuk do e konsideroja aspak të lehtë sa i përket simptomave të mia.”

Ajo u ndal veçanërisht te komentet që e konsideronin si fakt të mirëqenë se vajza e saj, Nea, do të bëhet me motër, duke sqaruar se gjinia e foshnjës nuk është ende e ditur.

“E di që shumë persona kanë shkruar si fakt të mirëqenë se Nea do të bëhet me motër, por ne nuk e dimë ende gjininë e foshnjës”, theksoi ajo, duke shtuar se do ta ndajnë këtë moment me publikun vetëm kur të jenë gati.

Në mbyllje, Sara Gjordeni falënderoi të gjithë për dashurinë dhe mbështetjen që po merr gjatë kësaj periudhe të veçantë për familjen e saj.