Një person është proceduar në procedurë të rregullt hetimore pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në një vilë në fshatin Jezerc të Ferizajt.
Sipas njoftimit të Policisë, më 27 qershor 2026, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar informacione se në vendin e quajtur “Livadhet e Kishës”, në fshatin Jezerc, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve dhe Njësia Reaguese, të cilat kanë kontaktuar pronarin e vilës dhe personat e pranishëm.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari me inicialet B.O. (30 vjeç) është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator që përmbante tre fishekë, si dhe dy gëzhoja. I dyshuari ka pranuar se kishte shtënë dy herë me armën e zjarrit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe gëzhojat.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas procedurave fillestare, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
