Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e Osman Selmanit në pikëkalimin kufitar të Mutivodës. Selmani dyshohet për vrasjen e një çifti civilësh serbë në Kosovë, ngjarje e ndodhur në vitin 1999.
Sipas MUP-it serb, arrestimi i tij u realizua në kuadër të një operacioni të përbashkët të disa departamenteve policore.
Ministria e Brendshme e Serbisë pretendon se “ekzistojnë baza dyshimi se më 14 qershor 1999, në lagjen e Sofalisë pranë Prishtinës, Selmani, së bashku me disa anëtarë të UÇK-së, ekzekutoi brutalisht me armë zjarri dhe të ftohta çiftin bashkëshortor Vladimir dhe Persa Stanisavljević, civilë të kombësisë serbe”.
Prokuroria i ka caktuar Osman Selmanit një masë ndalimi 48-orëshe, ndërsa pritet që Gjykata e Lartë në Beograd t’i caktojë një paraburgim 30-ditor, raporton Radio Kontakt Plus.
Edhe familja e Osman Selmanit ka njoftuar lidhur me arrestimin e tij, duke theksuar se ai është ndaluar më 1 korrik.
