Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka paralajmëruar për pasoja serioze globale nëse bllokohet Ngushtica e Hormuzit.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Shahini thekson se bllokimi i kësaj ngushtice përbën një nga kërcënimet më serioze ndaj ekonomisë dhe sigurisë globale. Ai shpjegon se një ndërprerje në këtë arterie strategjike nuk do të ishte thjesht një krizë rajonale, por një tronditje globale.

Sipas Shahinit, nëse Ngushtica e Hormuzit bllokohet, Lindja e Mesme mund të mbetet pa ushqim, ndërsa bota pa energji. Ai detajon se mbi 80% e ushqimit për vendet e Lindjes së Mesme, rreth 50% e ujit të pijshëm (i siguruar nga desalinimi) dhe rreth 20% e energjisë globale transportohen përmes këtij korridori jetik.

Kryetari i AKB-së thekson se pasojat e një bllokimi do të ishin të menjëhershme: mungesë ushqimi dhe ujë i pijshëm në Lindjen e Mesme, rritje drastike e çmimeve të energjisë dhe destabilizim i tregjeve ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, AKB u bën thirrje institucioneve të diversifikojnë rrugët e furnizimit, të rrisin rezervat strategjike dhe të forcojnë sigurinë ushqimore dhe energjetike. Shahini përfundon duke theksuar se çdo përshkallëzim në këtë zonë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për ekonominë botërore.