Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pritet të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Australi, me një njoftim zyrtar të parashikuar në muajt e ardhshëm.
Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC) raportoi se ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, deklaroi se prania ushtarake amerikane në Australi “do të rritet më tej”. Kjo deklaratë erdhi pas takimit të tij në Uashington me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Qeveria australiane konfirmoi se Marles dhe Hegseth diskutuan mbi zgjerimin e kësaj pranie në bazat ushtarake australiane. Uashingtoni tashmë mban një prani ushtarake në Australi nëpërmjet marrëveshjeve ekzistuese për dislokimin e forcave.
Australia nënshkroi “marrëveshje për dislokimin e forcave” me SHBA-në në vitin 2014, me qëllim vendosjen e një pranie afatgjatë të trupave amerikane. Kjo u argumentua si një masë për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të mbështetur reagimin e shpejtë ndaj fatkeqësive humanitare.
“Që prej ardhjes sonë në qeveri, vihet re një vijimësi e qartë e rritjes së pranisë së forcave amerikane në Australi. Ne mendojmë se kjo është vërtet e rëndësishme për sigurimin e parandalimit në Indo-Paqësor, si dhe për garantimin e stabilitetit dhe paqes në këtë rajon,” u shpreh Marles.
Pentagoni bëri me dije se të dyja palët planifikojnë të forcojnë praninë ushtarake amerikane në Australi duke përshpejtuar “nismat për dislokimin e forcave në bazat australiane”. Në deklaratë theksohet se “Sekretari Hegseth nënvizoi nevojën që aleatët e aftë të kontribuojnë në mbrojtjen kolektive dhe të investojnë në sigurinë e tyre sovrane.”
Marles zhvilloi takime edhe me kompani të inteligjencës artificiale dhe përsëriti se njoftimet për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane do të bëhen publike në muajt e ardhshëm. Ai gjithashtu ripërsëriti besimin se Australia do të marrë në kohën e planifikuar nëndetësen e saj të parë të klasës “Virginia”.
Sipas marrëveshjes AUKUS, Australia do të blejë nga SHBA-ja tri nëndetëse të përdorura të tipit “Virginia” gjatë viteve 2030, me dorëzimin e parë të parashikuar në vitin 2032. Fjala e fundit për miratimin e shitjes do t’i takojë Presidentit amerikan në detyrë në atë kohë, i cili do të marrë parasysh edhe nevojat e vetë Uashingtonit. /AA
