**Shmangni këto gabime, nëse nuk doni që karantina t’ju kthehet në makth**
Sado e vështirë që mund të duket të besohet, karantina ka anët e saj pozitive: ne ndihemi të çliruar nga një rutinë mbytëse dhe, rrjedhimisht, kemi në dispozicion më shumë kohë për veten tonë.
Megjithatë, kjo liri, në planin afatgjatë, mund ta shndërrojë izolimin në një makth të vërtetë. Prandaj, ja pesë gabimet që duhen shmangur!
**1. Shmangni përtacinë dhe ruani rutinën**
Megjithëse angazhimet, nga të cilat ishim zhytur deri para disa javësh, ishin një burim i jashtëzakonshëm stresi për ne, ato na ndihmonin të kishim një rutinë me të cilën strukturoheshin ditët. Tani që jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, rrezikojmë ta shndërrojmë lirinë në përtaci, duke humbur kështu një kohë të tepërt.
Sigurisht, të gjithëve na lejohet të bëjmë një pushim nga jeta plot angazhime me të cilën ishim mësuar, por kini kujdes, pasi mërzitja fshihet pas derës. Le të përpiqemi, pra, t’u japim kuptim ditëve tona, duke planifikuar një sërë aktivitetesh që e shfrytëzojnë kohën në dispozicion në mënyrë konstruktive.
**2. Mos hiqni dorë nga një dietë e shëndetshme**
Ushqimi që na pëlqen çliron hormonin e serotoninës, i cili, nga ana tjetër, na jep momente të shkurtra lumturie – të cilat, tani më shumë se kurrë, na duhen. Sidoqoftë, kini kujdes të mos i lëshoni shpesh vetes tundimit, duke përfunduar duke u ushqyer rregullisht me akullore, çokollatë dhe pica.
Përveç tensionit psikologjik me të cilin duhet të përballemi çdo ditë, rrezikojmë ta përfundojmë karantinën me probleme gastrointestinale, për të mos përmendur uljen e mundshme të vetëvlerësimit.
**3. Qëndrimi me pizhame gjatë gjithë ditës**
Edhe pse mund të ketë qenë ëndrra e shumëkujt, qëndrimi me pizhame gjatë gjithë ditës për tërë kohëzgjatjen e karantinës është dekurajues.
Ky zakon i diskutueshëm, por pa dyshim joshës, mund të ndikojë negativisht në disponimin tonë, duke na bërë të ndihemi të lënë pas dore dhe më dembelë. Ndaj, kini kujdes!
**4. Funksionimi pa orare fikse**
Nëse deri pak javë më parë e keni jetuar ditën tuaj sipas orareve të caktuara, shmangni çorganizimin e plotë të orareve tuaja tani që jeni në karantinë. Sigurisht, nuk themi se është e thjeshtë, por ju ftojmë ta provoni.
Një gabim i zakonshëm, në fakt, është ta jetosh izolimin sikur të ishte një pushim i gjatë, por siç thotë shprehja: “Loja është e bukur kur zgjat pak.” Duke u kthyer te pika 1, nëse e menaxhojmë me përgjegjësi ditën tonë, vetëm në këtë mënyrë do të jemi në gjendje ta bëjmë atë produktive.
**5. Qëndrimi i tepërt në internet**
Meqenëse jemi në shtëpi, pajisjet teknologjike janë mjeti kryesor në dispozicion për të mbajtur kontakte me pjesën tjetër të botës. Nëse kjo, nga njëra anë është pozitive, pasi na lejon të mos ndihemi plotësisht të izoluar, nga ana tjetër ekziston rreziku të qëndrojmë të lidhur 24 orë në ditë.
Qoftë për të punuar, studiuar, biseduar apo informuar, qëndrimi vazhdimisht në internet sigurisht që nuk është i shëndetshëm, as fizikisht, as mendërisht. Në fund të ditës, do të përballemi me një sasi të tepërt informacioni, burim shtesë shqetësimi. Prandaj, kufizojeni kohën e qëndrimit në internet.
