Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) ka shprehur shqetësimin e thellë për krizën në sektorin e qumështit, duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi serioze në grumbullimin e qumështit dhe me rënie drastike të çmimit të blerjes. SHPQK kërkon rikthimin e menjëhershëm të çmimit dhe grumbullimit të plotë, duke paralajmëruar se fermerët nuk duhet të jenë viktimat e kësaj situate.
Në një deklaratë publike, shoqata kërkoi me insistim që çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë të grumbullohet dhe që çmimi i blerjes të rikthehet në nivelin para krizës aktuale. “Fermerët nuk duhet të bëhen viktima të kësaj situate. Kërkojmë grumbullimin e plotë të prodhimit dhe kthimin e çmimit në nivelin e mëparshëm,” theksohet në reagim.
SHPQK thekson nevojën e ngutshme për bashkëpunim ndërmjet fermerëve, industrisë së përpunimit dhe institucioneve shtetërore, duke vënë theksin se vetëm përmes një koordinimi efikas mund të tejkalohet kjo gjendje.
Ndërkohë, shoqata mbështet fuqishëm inspektimet dhe zbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse, por kërkon që këto kontrolle të jenë të vazhdueshme, profesionale dhe të aplikohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët e sektorit, pa përjashtim.
SHPQK kërkon gjithashtu ndërhyrjen e menjëhershme institucionale për mbrojtjen e prodhimit vendor. Ajo sugjeron forcimin e kontrollit mbi produktet e importuara, vendosjen e masave antidumping për qumështin UHT dhe produkte të tjera të huaja, dhënien e përparësisë për produktet vendore në furnizimet publike, si dhe krijimin e mekanizmave ligjorë efikasë për mbështetjen afatgjatë të prodhuesve lokalë.
Në fund, shoqata i bën thirrje të drejtpërdrejtë kompanisë “Vita” të rifillojë grumbullimin e qumështit nga fermerët që nga dita e nesërme, duke shprehur besimin se situata do të stabilizohet shpejt dhe bashkëpunimi do të vazhdojë në interes të të gjithë sektorit të qumështit.
