Një shpërthim i fuqishëm i një rezervuari kimik në një fabrikë paketimi në Longview, Uashington, ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e nëntë të tjerëve, disa prej të cilëve me djegie kimike dhe lëndime serioze. Incidenti ka lënë gjithashtu disa persona të zhdukur.

Shërbimet zjarrfikëse të Longview konfirmuan vdekjen e viktimës në fabrikën ‘Nippon Dynawave Packaging’. Ata bënë të ditur gjithashtu se tetë punonjës të uzinës dhe një zjarrfikës janë mes të plagosurve. Përveç tyre, nëntë punonjës të tjerë të fabrikës mbeten të zhdukur pas ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake nga shërbimet zjarrfikëse, incidenti ndodhi kur shpërtheu një rezervuar që përmbante “lëng të bardhë”, një tretësirë kimike që përdoret gjerësisht në industrinë e letrës.

Autoritetet deklaruan se vendi i ngjarjes mbetet në fazën e rikuperimit, ndërsa ekipet e ndihmës së shpejtë vijojnë operacionet. Ata theksuan se nuk do të publikohen informacione identifikuese për individët e plagosur apo të vdekur, deri në njoftimin e anëtarëve të familjeve të tyre.

Michael Gorsuch, shefi i shërbimeve zjarrfikëse të Longview, u shpreh se disa nga lëndimet janë kritike dhe shumica prej tyre rrezikojnë jetën. Megjithatë, departamenti i zjarrfikësve siguroi publikun se nuk ka kërcënim të menjëhershëm, por këshilloi qytetarët të shmangin zonën për sigurinë e tyre.

Pas shpërthimit, lëngu i bardhë u derdh në një kanal kullues, konfirmoi Brittny Goodsell, zëdhënëse e departamentit shtetëror të ekologjisë. Departamenti ka dërguar një ekip për të vlerësuar ndikimet mjedisore, ndërsa zyrtarët pohojnë se nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për komunitetin përreth.