Shtatë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, Moska pretendon interceptimin e qindra dronëve
Autoritetet ukrainase njoftuan të enjten se shtatë persona humbën jetën gjatë natës së së mërkurës si pasojë e sulmeve të shkëmbyera mes forcave ruse dhe ukrainase. Këto sulme vijnë pavarësisht përpjekjeve të ripërtërira diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, në të cilat janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmet ndodhën pak kohë pas takimit të të dërguarit amerikan, Steve Witkoff, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, për bisedime mbi përfundimin e luftës.
Sipas burimeve ukrainase, një person u vra në Sumy, një grua në Harkiv, tre persona në Zaporizhja dhe dy të tjerë në Donjeck.
Ndërkohë, në Kiev, 15 persona u plagosën nga sulmet, të cilat shkaktuan dëme edhe në infrastrukturën e metrosë. Zyrtarët bënë me dije se dëmet kanë detyruar kufizimin e qarkullimit të metrosë në disa pjesë të qytetit.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se dy persona janë plagosur nga sulmet me dronë të Ukrainës.
Autoritetet ruse raportuan se Ukraina ka lëshuar rreth 630 dronë drejt territorit rus, shumica dërrmuese e të cilëve u interceptuan. Sipas deklaratës ruse, disa prej tyre kishin për objektiv edhe kryeqytetin rus, Moskën.
