**Ngjarje e Rëndë në Ferizaj: Qëlloi të Dashurën dhe Veten, Policia Zbardh Detaje**

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka plagosur rëndë të dashurën e tij dhe më pas veten, duke qëlluar me armë zjarri, mbrëmë në Ferizaj.

Të dy të plagosurit janë transportuar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes, forcat policore kanë gjetur dhe sekuestruar armën e përdorur.

Në njoftimin zyrtar të Policisë, thuhet:
“Ferizaj 10.04.2026, 21:58. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri drejt të dashurës së tij dhe më pas ka qëlluar veten. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një karikator me gjashtë fishekë dhe tri gëzhoja të armës së përdorur. Rasti është nën hetime.”

Rasti është klasifikuar fillimisht si “vrasje në tentativë” nga organet e rendit.