Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, ka folur për fillimet e saj në politikë, duke theksuar se gjithmonë ka vënë integritetin mbi rehatinë personale.
E ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Reshitaj deklaroi se karrierën e saj politike e ka nisur si e re, shumë kohë më parë.
“Si shumë të rinj e të reja në vendin tonë, edhe unë aktivitetin tim politik e kam nisur para luftës, në LDK, konkretisht në Forumin Rinor dhe në Forumin e Gruas në degën e Suharekës,” u shpreh ajo. Reshitaj shtoi se ka qenë anëtare e forumit letrar “Elena Gjika”.
“Si studente e mjekësisë, jam angazhuar edhe në projekte për trajtimin e të rinjve me sjellje delikuente dhe atyre që përdornin drogën. Pra, që atëherë kam qenë pjesë e aktivitetit politik,” theksoi Reshitaj.
Ajo tregoi se më pas i ka vazhduar studimet dhe e ka ndërprerë përkohësisht aktivitetin politik. “Jam punësuar, dhe më pastaj jam kthyer sërish në politikë. Asnjëherë në jetën time nuk e kam zgjedhur rehatinë personale politike; gjithmonë kam ruajtur integritetin politik,” përfundoi deklaratën e saj kandidatja e LDK-së, përcjell Gazeta Express.
