Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së vendit. Në mesazhin e saj, Siljanovska-Davkova theksoi se “njerëzit janë shteti” dhe se “të ardhmen e ndërtojmë së bashku,” duke reflektuar mbi sfidat dhe vizionin për të ardhmen.

Në postimin e saj të plotë, Presidentja rikujtoi rëndësinë e 8 Shtatorit 1991, ditës kur, përmes një referendumi historik, u realizua ëndrra shekullore për një shtet të pavarur maqedonas. Ajo theksoi se ky akt përmbylli veprën e “ilindenasve dhe asnomistëve,” duke krijuar një “shtëpi kombëtare dhe të përbashkët qytetare, pa dallim etnik e fetar.”

Siljanovska-Davkova nënvizoi se pavarësia e Maqedonisë së Veriut mbështetet në tre shtylla kryesore: besimin e çdo qytetari te shteti dhe kapaciteti i institucioneve të tij, besimin e ndërsjellë mes qytetarëve pavarësisht dallimeve etnike, fetare, gjuhësore apo të tjera, si dhe besimin e pashtershëm në të ardhmen e vendit.

Presidentja theksoi arritjet e shumta në këto tre dekada e gjysmë, duke përmendur ndërtimin e institucioneve funksionale, zhvillimin e një ushtrie anëtare të NATO-s që garanton sigurinë, si dhe zhvillimin e një ekonomie rezistuese e të hapur. Ajo përmendi gjithashtu miqtë dhe partnerët strategjikë që mbështesin rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur një qëllim strategjik për anëtarësim.

Megjithatë, Siljanovska-Davkova nuk la pa përmendur edhe sfidat e rënda, bllokadat dhe standardet e dyfishta që kanë nxitur probleme të brendshme, duke theksuar si një nga problemet më të mëdha largimin e të rinjve. “Me çdo largim këputet një fije në strukturën tonë, ndërsa çdo bankë e zbrazët shkolle është një kujtesë e heshtur se po humbim ata që ishin dhe ende janë shpresa jonë më e madhe,” tha ajo, duke shtuar se “e vërteta e dhimbshme nuk duhet të na paralizojë, por duhet të na mobilizojë.”

Në fund të mesazhit, Presidentja bëri thirrje për një përgjegjësi ndërgjeneracionale për të luftuar kriminalitetin dhe korrupsionin, për të vendosur sundimin e pakompromis të ligjit dhe për të ndërtuar një shoqëri paqësore dhe të drejtë, ku qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike (maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë apo të tjerë), janë të barabartë dhe trajtohen në mënyrë të barabartë. Duke cituar amanetin e ASNOM-it, ajo tha: “ÇFARË MAQEDONIE DO TË NDËRTOJMË, TË TILLË DO TA KEMI. Askush tjetër nuk do të na e rregullojë shtëpinë përveç nesh!”

Vizioni i Presidentes është një Maqedoni e Veriut e qëndrueshme, e përparuar dhe evropiane, ku të rinjtë nuk do të bëjnë valixhet për t’u larguar, por do të krijojnë familje dhe do të ndërtojnë të ardhmen aty. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes me diasporën për të bashkuar të gjithë njerëzit e mençur, kreativë dhe të guximshëm me prejardhje maqedonase në ndërtimin e një atdheu dinjitoz dhe prosperues.

Në përfundim, Presidentja Siljanovska-Davkova uroi me krenari festën e madhe të 8 Shtatorit, ditën kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut, me guxim dhe përgjegjësi, përmbushën amanetin e ilindenasve dhe asnomistëve dhe, përmes referendumit, u deklaruan për një shtet sovran dhe të pavarur.