Një kthim që duhej të ishte i zakonshëm nga mërgimi, përfundoi në tragjedi për Besim Krasniqin, 63 vjeç, i cili ndërroi jetë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pak pas aterrimit të fluturimit të tij nga Zvicra.
Krasniqi ishte pasagjer në një fluturim të kompanisë GP Aviation nga Bazeli i Zvicrës. Ai shfaqi probleme serioze shëndetësore menjëherë pas aterrimit ose pak para tij.
Stafi mjekësor i aeroportit ndërhyri menjëherë, duke e transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 63-vjeçari ndërroi jetë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Familja e tij e priste në Kosovë pas udhëtimit të gjatë nga Zvicra. Fatkeqësisht, Besim Krasniqi nuk arriti t’i përqafojë ata. Udhëtimi drejt shtëpisë u shndërrua në udhëtimin e tij të fundit.
