Futbolli çek është përfshirë nga një skandal i rëndë korrupsioni, teksa autoritetet kanë ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha kundër basteve dhe kurdisjes së ndeshjeve në historinë e vendit.

Aksioni policor, i nisur herët në mëngjes, është zhvilluar në bashkëpunim me Europol, Interpol dhe njësinë e UEFA-s kundër manipulimit të ndeshjeve. Sipas autoriteteve, dhjetëra persona janë arrestuar dhe janë kryer bastisje të shumta pas një hetimi që ka zgjatur rreth tre vite, shkruan Indeksonline

Shoqata e Futbollit e Republikës Çeke ka konfirmuar se mbi 40 individë – përfshirë lojtarë, gjyqtarë, zyrtarë dhe klube nga liga e parë deri në kategoritë më të ulëta – janë nën hetim. Dyshimet lidhen me baste të paligjshme dhe ndikim në rezultatet e ndeshjeve që nga viti 2023, me gjurmë që çojnë drejt rrjeteve të organizuara të basteve në Azi.

Mes të dyshuarve përmenden edhe gjyqtarë profesionistë dhe figura të rëndësishme të klubeve, ndërsa disa ekipe nga nivele të ndryshme të futbollit çek janë përfshirë në hetime.

Zyrtarët kanë bërë të ditur se procedurat penale janë në zhvillim, ndërsa komisioni i etikës ka nisur tashmë dhjetëra procese disiplinore. Autoritetet dhe federata kanë theksuar se qëllimi është eliminimi i plotë i ndikimit të basteve të paligjshme dhe rikthimi i integritetit në futbollin çek../Indeksonline/