Sociologu Jeton Brajshori ka reaguar ashpër ndaj keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan, duke theksuar se shumë punëtorë socialë sot nuk janë profesionistë të mirëfilltë, por militantë partiakë. Kjo deklaratë vjen pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.

Në shkrimin e tij, Brajshori theksoi se puna e punëtorit social është mbi të gjitha një punë humane, që kërkon përkushtim maksimal, empati, përgjegjshmëri dhe veprim, dhe jo thjesht një vend pune për të marrë rrogë.

“Shumë punëtorë socialë sot, fatkeqësisht, nuk janë profesionistë të mirëfilltë, por militantë partiakë. Për këtë arsye, shpesh mungon qasja e duhur profesionale në trajtimin e rasteve të ndjeshme,” shkroi ai. “Rasti i Lipjanit e dëshmon më së miri këtë realitet.”

Brajshori gjithashtu shtoi se edhe personi që raportoi rastin meriton vëmendje dhe mbështetje profesionale, pasi përjetimi i situatave të tilla traumatike mund të lërë pasoja serioze. Ai apeloi që institucionet dhe profesionistët të jenë më aktivë në terren, të hulumtojnë dhe të identifikojnë raste të ngjashme, pasi ka shumë mundësi të ketë edhe të tjerë që mbeten të padukshëm ose nuk raportohen.

“Shpëtimi i jetëve është akti më fisnik që një shoqëri mund të realizojë,” përfundoi sociologu.