Sorensen: Marrëveshja e Ohrit është angazhim ndërkombëtar dhe ka nisur zbatimin

Peter Sorensen, i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, deklaroi të shtunën në Forumin e Dubrovnikut se Marrëveshja e Ohrit përbën një angazhim ndërkombëtar dhe se thelbi i saj shkon përtej një teksti të thjeshtë traktati.

Ai theksoi se kishte konsultuar juristë në Bruksel dhe Nju Jork për të sqaruar statusin ligjor të saj.

Sorensen vuri në dukje se marrëveshja përmban kërkesa dhe përcaktime të qarta që duhet të plotësohen, ndërsa theksoi se BE-ja pret respektimin e saj të plotë.

Lidhur me zbatimin, ai bëri me dije se “ka nisur në disa pjesë”, veçanërisht në çështjen e personave të zhdukur. Megjithatë, Sorensen pranoi se ka ende çështje të tjera që mbeten të pazbatuara.

Ndërmjetësuesi evropian iu referua edhe jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, sipas tij, e qartëson pa dyshim vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje.

Sorensen sqaroi se një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, nuk kërkon domosdoshmërisht një nënshkrim formal për të qenë e vlefshme, veçanërisht kur në proces janë përfshirë më shumë se dy palë. Ai theksoi se dialogu përfshiu tre palë (Kosovën, Serbinë dhe BE-në), dhe Bashkimi Evropian ishte i pranishëm gjatë arritjes së marrëveshjes dhe e mirëpriti atë menjëherë. Kjo, sipas tij, e bën statusin e marrëveshjes të pakontestueshëm.

Ai shtoi se Këshilli i BE-së i është referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje në përfundimet e tij. “Kur mora detyrën, kjo ishte gjëja e parë që verifikova: cili është statusi i marrëveshjes që ishte arritur,” përfundoi Sorensen.