KFOR-i: Stërvitjet serbe pranë kufirit me Kosovën “nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë”
Ditën e sotme, shumë qytetarë nga disa fshatra të Gjilanit shprehën shqetësim pasi vëzhguan stërvitje ushtarake të ushtarëve serbë pranë kufirit me Kosovën.
Lidhur me këtë shqetësim, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, konfirmoi se ishte në dijeni të zhvillimit të një aktiviteti të planifikuar stërvitor nga Forcat e Armatosura Serbe. Ky aktivitet, që përfshinte hedhjen e parashutistëve nga një helikopter, u krye në fshatin Muhovc.
Në një përgjigje për redaksinë, KFOR-i theksoi se bëhej fjalë për një aktivitet rutinë, i zhvilluar brenda territorit serb, i cili nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Kufitare Administrative dhe në të gjithë Kosovën, duke ruajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe,” deklaroi KFOR-i për Klankosova.
