Analistja amerikane Ivana Stradner ka paralajmëruar për përfshirjen e shërbimeve serbe dhe ruse në procesin zgjedhor në Serbi, duke thënë se tashmë janë vërejtur përpjekje për të dëmtuar listën studentore dhe për të manipuluar opinionin publik.

Stradner, e cila thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet politike në Serbi, ka deklaruar se inteligjenca serbe është “plotësisht e përfshirë” në proces.

Sipas saj, llogari të rreme në rrjetet sociale po përdoren për të sulmuar listën studentore, ndërsa lista të rreme për mbledhjen e nënshkrimeve, me emra të ngjashëm, po shfrytëzohen për të krijuar konfuzion te qytetarët.

Ajo ka akuzuar gjithashtu presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po rikthen atë që e cilëson si propagandën e zakonshme mediatike, duke përmendur rritjen e pagave dhe premtime për standard më të lartë jetese.

Megjithatë, Stradner vlerëson se studentët po reagojnë fuqishëm ndaj këtyre përpjekjeve dhe se mbështetja ndaj tyre nga qytetarët serbë po rritet.

Në të njëjtën kohë, analistja amerikane ka ngritur shqetësime për rolin e Rusisë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ajo ka thënë se mediat ruse tashmë kanë parashikuar se presidentja e ardhshme e Serbisë do të jetë Ana Brnabić, duke pretenduar se në Moskë ekziston bindja se regjimi i Vuçiqit do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Kremlinin dhe se marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës nuk janë në rrezik.

“Mos bëni gabim: FSB-ja do të bëjë gjithçka të mundshme për të ndërhyrë në zgjedhjet e Serbisë dhe për t’i ndaluar studentët të fitojnë”, ka shkruar Stradner.

Sipas saj, Rusia i ka ofruar Vuçiqit një lloj “pakete për ruajtjen e regjimit”, ndërsa shërbimet inteligjente serbe dhe ruse bashkëpunojnë ngushtë.

“Po i shoh taktikat ruse duke u shpalosur në Serbi. Loja është e qartë”, ka deklaruar ajo.

Deklaratat e Stradner vijnë në një kohë kur lëvizja studentore në Serbi po përpiqet të shndërrojë mbështetjen e saj publike në një alternativë politike, ndërsa pushteti i Vuçiqit po përballet me presion të vazhdueshëm politik dhe protesta.