Moti i keq ka shkaktuar probleme të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë festës së Falënderimeve, duke lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike dhe duke shkaktuar vonesa e anulime të shumta fluturimesh.

Një stuhi e fuqishme goditi të enjten kryesisht zonat lindore të vendit, duke sjellë erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe përmbytje në zonat bregdetare. Situata më problematike u regjistrua në Pensilvani, Virxhinia, Maryland dhe Nju Xhersi.

Sipas të dhënave të faqes Poweroutage.us, numri i banesave që mbetën pa energji elektrike arriti në afro një milion të enjten në mbrëmje. Autoritetet dhe kompanitë e energjisë po punojnë për rikthimin e furnizimit, ndërsa guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, tha se ekipet janë angazhuar pa ndërprerje për të normalizuar situatën.

Pasojat e stuhisë janë ndier edhe në transportin ajror. Më shumë se 2,500 fluturime u vonuan të enjten, ndërsa mbi 450 të tjera u anuluan, sipas të dhënave të FlightAware. Problemet vijuan edhe të premten, duke vështirësuar udhëtimet e mijëra amerikanëve që kishin planifikuar të kalonin festën me familjarët dhe miqtë.

Një pasagjer i tha BBC-së se kishte qëndruar për 13 orë në aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut, në pritje të fluturimit drejt Çikagos.

Në disa zona të Bregut Lindor situata ishte edhe më e vështirë. Në Maryland u mbyllën disa ura për shkak të erërave të forta, ndërsa në Delaware dallgët e mëdha shkaktuan përmbytje në zonat pranë plazheve. Në Uashington DC, reshjet e dendura dhe ngritja e nivelit të ujit përmbytën edhe pistat e aeroportit Reagan Washington National.

Edhe Nju Jorku u përball me reshje të pazakonta për këtë periudhë. Në Central Park ranë rreth 5 centimetra shi, duke e bërë këtë Ditën e Falënderimeve më të lagësht të regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. Për shkak të motit të keq, organizatorët vendosën të shtyjnë për të shtunën edhe paradën tradicionale të Macy’s, një ngjarje që mbahet prej 100 vitesh dhe që nuk ishte shtyrë më parë.

Në Nju Xhersi, disa rrugë dhe ura u mbyllën për shkak të përmbytjeve, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan rrugë të mbuluara nga uji.

Autoritetet në Maryland u kërkuan afro dy milionë abonentëve të kufizojnë përdorimin e ujit vetëm për nevojat më të domosdoshme, për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të shqyrtojë mundësinë e vënies në dispozicion të fondeve emergjente për përballimin e situatës.

Probleme nga moti i keq janë raportuar edhe në Bregun Perëndimor, ku shqetësim kryesor kanë qenë batica e lartë dhe rreziku i përmbytjeve. Në San Diego dhe Los Angeles, niveli i baticës kaloi 2.4 metra, ndërsa qytetarëve iu kërkua të shmangnin zonat bregdetare.

Kushtet e vështira detyruan kompaninë hekurudhore Amtrak të anulonte disa trena në linjën Pacific Surfliner, e cila përshkon bregdetin e Kalifornisë.

Ndërkohë, në Oregon, një burrë dhe qeni i tij u morën nga dallgët dhe u tërhoqën drejt detit për shkak të një batice jashtëzakonisht të lartë. Fatmirësisht, të dy arritën të shpëtonin pa lëndime, bëri të ditur policia.

Në Miami, udhëtimet u ndikuan edhe nga një incident me një avion të kompanisë FedEx, i cili doli përtej pistës gjatë uljes një natë më parë. Ngjarja detyroi aeroportin të mbyllte përkohësisht të gjitha pistat, përveç njërës. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar, ndërsa autoritetet amerikane të aviacionit kanë nisur hetimet.

Sipas parashikimeve meteorologjike, stuhia pritet të dobësohet të premten dhe të largohet drejt Kanadasë gjatë së shtunës, duke sjellë mot më të qëndrueshëm në verilindje të SHBA-së. Megjithatë, meteorologët paralajmërojnë se një tjetër sistem me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta mund të mbërrijë të hënën.

Problemet me motin vijnë në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit për udhëtimet në SHBA. Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilizmit (AAA), rreth 81.5 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë të paktën 80 kilometra larg banesave të tyre gjatë periudhës shtatëditore të festës së Falënderimeve.