**Zyrtare policore dhunon dhe mban peng ekipin e Kiks Kosovës në Prizren**
Ekipi i emisionit “Kiks Kosova” është sulmuar fizikisht dhe mbajtur dhunshëm në banesën e një zyrtareje policore në Prizren. Ngjarja ndodhi gjatë përpjekjes së gazetarëve për të dokumentuar një rast rrahjeje mes të miturve, ku ishte përfshirë edhe vetë zyrtarja, Shqipe Krasniqi.
Gazetarët e “Kiks Kosova” po përpiqeshin të merrnin qëndrimin e Krasniqit lidhur me dyshimet se ajo kishte ndikuar në mbajtjen në paraburgim për disa muaj të një 14-vjeçari, ndërkohë që djali i saj, i përfshirë në të njëjtin rast, ishte lënë i lirë. Në momentin e kontaktit, Krasniqi ka futur me dhunë ekipin brenda banesës, duke sulmuar fizikisht gazetaren. Si pasojë, gazetarja ka pësuar lëndime në duar dhe i janë shqyer rrobat. Më pas, ajo i ka mbajtur të mbyllur për disa minuta dhe u ka konfiskuar edhe mjetet e punës, përfshirë trekëmbëshin.
Gjatë kohës sa ishin të mbyllur, zyrtarja policore Shqipe Krasniqi është dëgjuar duke kërcënuar se, po të donte ajo, i mituri që ndodhet në paraburgim nuk do të jetonte.
Me rastin po merret Prokurori kujdestar dhe Prokurori i posaçëm për gazetarët në Prizren. /Klankosova.tv
