**Besnik Tahiri kritikon deputetët e VV-së për shfrytëzim politik të tragjedisë, përmend Kurtin e Sveçlën**

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për atë që ai e cilësoi si përpjekje për të përfituar politikisht nga vrasja e Arlinda Zekajt. Kjo kritikë erdhi pas publikimit të një fotografie të deputetit Daut Haradinaj me personin e dyshuar për këtë krim, raporton Ekonomia Online. Tahiri iu përgjigj edhe deputetes Arlinda Fejza lidhur me akuzat ndaj Ramush Haradinajt për dhunë në familje, duke theksuar se edhe ai mund të akuzojë Albin Kurtin dhe Xhelal Sveçlën për dalje në foto me Naim Murselin.

Tahiri theksoi se kjo tragjedi kërkon veprime të shpejta institucionale, një hetim penal të thelluar dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet përkatëse.

“Tragjedia që ndodhi pak ditë më parë, me vrasjen barbare që tronditi gjithë shtetin dhe që nuk lë të qetë asnjë prind me vajzë apo vëlla me motër, kërkon veprim të shpejtë institucional dhe shtetëror, përgjegjësi, hetim penal dhe mbi të gjitha, përgjegjësi nga institucionet e vendit,” deklaroi Tahiri. “Për këtë temë kemi folur edhe më herët, dhe sot nuk do të zgjatem. Por, deputetë të nderuar, në veçanti ju deputetë të rinj, dëshiroj të sjell në vëmendje një çështje jetike për t’u trajtuar në këtë Kuvend: përfitimin e ulët politik që synohet të nxirret nga një tragjedi që ka goditur çdo njeri normal. Është e ulët, që në çfarëdo rrethane, pa pasur evidencë, dikush prej nesh apo prej jush të mundohet të përfitojë politikisht nga një tragjedi, nga një trup që ende nuk është varrosur. Këtu po ju drejtohem juve, kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje,” theksoi ai.

Tahiri kritikoi gjithashtu deputetin e VV-së, Taulant, lidhur me reagimin e tij ndaj fotografisë së Daut Haradinajt me të dyshuarin për vrasjen e Arlindës.

“I drejtohem deputetit Taulant,” vijoi Tahiri. “Si mundet Taulanti të dalë në foltore dhe të lexojë një fjalim, duke u përzier dhe implikuar forcat e Dukagjinit për shkak të një fotografie ku dikush ka drekuar? Ju deputetë që jeni nga Dukagjini, ndoshta edhe ne kemi në familjet tona persona me çrregullime psikike. Dhe të ngrihesh e të lidhësh, të implikosh një njeri, një deputet, familja e të cilit e njeh mirë identitetin e tij, kjo është e ulët.”

Ai kritikoi gjithashtu deputeten Arlinda Fejza, lidhur me një deklaratë të saj në një emision televiziv, ku pretendohej se ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Cili është ai person? A ka ndonjë padi të ngritur?” pyeti Tahiri retorikisht. “Ne dimë shumë nga mediat për ju. A e dini çfarë shoh unë në media? Për Xhelal Sveçlën, e kam parë me atë që akuzohet për tre vrasje. Dhe unë mund të akuzoj Xhelal Sveçlën e Albin Kurtin sepse i kam parë me Naim Murselin, për të cilin nuk dihet nëse është e vërtetë apo vetëm gënjeshtër ajo që thuhet,” shtoi ai.