Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, gjatë debatit në Kuvend për çmimin e energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Tahiri tha se deklarimet e Kërçelit ishin jolegjitime dhe se, sipas tij, përmbajtja e fjalimit kishte shmangie nga realiteti i çmimeve aktuale të energjisë.

“Deputeti Kërçeli përmendi 2018-ën, 2019-ën, 2020-ën, doli te çështja e presidentit, domethënë tërësisht jolegjitime në përmbajtjen e fjalimit të tij. Por realiteti është se në vitin 2018, në vitin 2019, çmimi i energjisë elektrike ka qenë shumë më i lirë sesa që është sot. Kriza energjetike ka fillu pikërisht prej kohës kur ka ardhë ky kryeministër i Republikës së Kosovës. E shumë papërgjegjësi për institucionet, për shtetin, për shoqërinë, është që sfida dhe përfaqësimi i statusit në energjinë elektrike ka shku vetëm pas vitit duke u vështirësuar e duke u cenuar shumë e më shumë“, tha ai.

 Ai shtoi se, sipas tij, Qeveria po tenton të shmangë përgjegjësinë duke devijuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale.

 “Andaj, mjafton me i lexu fjalimet që ia kanë përgatitë edhe me tentu me mbrojtë një skandal abuzues e korruptiv në vazhdimësi. Një prej skandaleve më të mëdha prej pasluftës, që është skandali me energjinë elektrike, skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Dhe krejt këtë po e vendosin dhe po e krijojnë, betejën e sfidën politike, me qëllimin e vetëm që me humbë vëmendjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës prej sfidës me koston e jetesës, që është duke u vështirësuar secilën ditë shumë e më shumë. E në mungesë të politikës dhe përgjegjësisë institucionale, qeverisë, Albin Kurti ka zgjedhë çështjen e presidentit, ku tash vendi ka pasë edhe president, dhe nuk është sfidë edhe me vështirësinë me të cilën janë duke u ballafaqu qytetarët e Republikës“, u shpreh Tahiri.