Një zjarr i madh përfshiu një bar në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, të dielën vonë, duke vrarë të paktën 28 persona dhe duke lënë 25 të plagosur rëndë, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Flaka filloi pranë skenës së barit në lagjen popullore Chatuchak, më pas u përhap me shpejtësi, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke përfshirë dhomën me tym, thonë dëshmitarët okularë.
Pamjet e postuara në internet tregojnë klientë të panikuar duke bërtitur ndërsa iknin – disa me rrobat e tyre në flakë – përmes derës së përparme të Rong Beer Na Lat Phrao të mbuluar nga flakët.
Zjarrfikësit, të cilët mbërritën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës, e shuan shpejt zjarrin. Ata gjetën trupat e shumicës së viktimave në një banjo, ku me sa duket kishin kërkuar strehim.
“Shumica e njerëzve që vdiqën u gjetën në tualete. Kur shpërtheu zjarri, ata u panikuan. Nuk kishte drita”, tha shefi i policisë kombëtare Kitrat Panphet.
Kaew-udon Poungppany, 24 vjeç, nga Laosi, luftoi për të mbajtur lotët ndërsa përshkruante përpjekjen për të arritur vëllain e tij më të vogël, i cili nuk mbijetoi.
“Mora një fikëse zjarri dhe e spërkata derën me të… por nuk munda të vazhdoja më tej. Dëgjova njerëz që bërtisnin”, u tha ai gazetarëve.
