**Temperaturat e Larta: AUV Bën Thirrje Për Kujdes Të Shtuar Në Ruajtjen E Ushqimeve**

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka lëshuar një apel të rëndësishëm drejtuar qytetarëve dhe të gjithë operatorëve ekonomikë që merren me ushqime, duke kërkuar kujdes të shtuar në ruajtjen e tyre për shkak të temperaturave të larta të verës.

Në njoftimin e saj, AUV thekson se kërkesat për sigurinë ushqimore duhet të zbatohen me përpikëri në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor: nga prodhimi, përpunimi, ruajtja, transporti, magazinimi, shpërndarja, deri te tregtimi. Vëmendje e veçantë u kërkohet bizneseve të gastronomisë, si restorantet, hotelet, sallat e dasmave, supermarketet, furrat, qebaptoret, restorantet e ushqimit të shpejtë dhe çdo subjekt tjetër në kontakt me ushqimin.

AUV specifikon se, veçanërisht me rritjen e temperaturave, është thelbësore ruajtja e produkteve ushqimore në temperaturat e përcaktuara në etiketën e produktit. Gjithashtu, kërkohet kontroll i rregullt i pajisjeve ftohëse dhe ngrirëse për të siguruar funksionim të duhur dhe zbatim rigoroz i masave të vetëkontrollit.

Agjencia apelon edhe tek qytetarët konsumatorë që të tregojnë kujdes maksimal që nga momenti i blerjes së produkteve, gjatë transportit deri në shtëpi, në ruajtjen e tyre në kuzhinë dhe deri në momentin e konsumimit.

Çdo produkt ushqimor që kërkon kushte specifike ruajtjeje e ka të deklaruar temperaturën e nevojshme në etiketë. Produktet me prejardhje shtazore janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta, por kujdesi duhet shtrirë edhe te produktet e tjera që kanë të specifikuar ruajtjen në një temperaturë të caktuar. AUV thekson se jetëgjatësia e produktit është e lidhur drejtpërdrejt me kushtet e ruajtjes.

AUV rithekson se siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët dhe çdo individ duhet të ndiejë veten përgjegjës për ruajtjen e saktë të ushqimeve. “Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve”, shprehet Agjencia.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të forcojë kontrollet gjatë periudhës së verës për të monitoruar respektimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. “Asnjë shkelje nuk do të tolerohet. Shëndeti publik varet nga siguria ushqimore, prandaj ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt!”, përfundon njoftimi i AUV-së.