Forcat speciale polake po përgatiten për mundësinë e operacioneve sabotuese nga Rusia që synojnë rindezjen e tensioneve midis polakëve dhe ukrainasve, tha sot ministri përgjegjës për forcat speciale, Tomasz Siemoniak.

Marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar pasi Presidenti i vendit Karol Nawrocki vendosi të revokojë dekoratën më të lartë shtetërore “Urdhri i Shqiponjës së Bardhë” nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Vendimi u nxit nga lëvizja kontraverse e Kievit për të emëruar një njësi ushtarake sipas luftëtarëve të Ushtrisë Revolucionare të Ukrainës (UPA), e cila akuzohet për shfarosjen sistematike të dhjetëra mijëra civilëve polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Siemoniak tha se lufta e informacionit kundër Polonisë është intensifikuar në javët e fundit me trolle dhe bots (programe të automatizuara softuerësh) që kërkojnë të rrisin polemikat dhe të ndikojnë në hapësirën online të Polonisë.

“Ëndrra e Rusisë, ëndrra e shërbimeve ruse, ishte dhe është tensioni më i madh i mundshëm midis Polonisë dhe Ukrainës“, tha Siemoniak.

I pyetur për mundësinë e një provokimi rus, përfshirë një sulm që synonte ukrainasit në Poloni, i cili mund të nxiste më tej ndjenjën popullore, Siemoniak u përgjigj se skenarë të tillë janë plotësisht të besueshëm.

Siç tha Siemoniak, autoritetet nuk po sugjerojnë se diçka specifike është e afërt, por se ato duhet të parashikojnë përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet aktuale.