Manikyri “Qumësht Kokosi”: Trendi Elegant që Thekson Tenin e Nxirë

Kjo nuancë e butë, e ftohtë dhe qumështore është zgjedhja ideale për ditët e nxehta, duke i bërë thonjtë të duken më të bardhë dhe lëkurën më të errët.

Gjatë sezoneve të fundit, manikyrët neutralë kanë qenë në qendër të vëmendjes, duke theksuar bukurinë natyrale dhe shëndetin e thonjve. Pas një sërë variantesh të ngjashme, këtë verë po spikat një nuancë e re delikate, e frymëzuar nga kokosi.

Kjo tendencë manikyri fitoi popullaritet me përhapjen e estetikës “old money”, e cila përqendrohet te një pamje e kuruar, natyrale dhe elegante. Tiparet dalluese të këtij stili përfshijnë thonjtë me gjatësi të njëtrajtshme, formë të rafinuar dhe kutikula të mirëmbajtura.

Llaku i thonjve, me këtë nuancë, shpesh nuk mbulon plotësisht sipërfaqen, duke lejuar të duket pamja natyrale e thoit. Kjo vë theksin te kujdesi, shëndeti dhe një estetikë sa më e natyrshme.

Pas trendeve të manikyrit “cloud”, “blueberry milk” dhe “lavender milk”, këtë verë në qendër të vëmendjes vjen një tjetër version i nuancave qumështore: ai i frymëzuar nga qumështi i kokosit.

Fruti ekzotik i kokosit është një nga simbolet kryesore të ditëve të verës, veçanërisht për shkak të losioneve dhe kremrave të shumtë për lëkurën, të pasuruar me aromën e tij të ëmbël. Këtë verë, kokosin nuk do ta mbajmë vetëm si aromë, por edhe si frymëzim për manikyrin.

Bëhet fjalë për një nuancë të butë qumështore, një ndërmjetme mes të bardhës klasike – shpesh e preferuar gjatë verës – dhe varianteve më transparente që japin një pamje më të lehtë në thonj.

Ndryshe nga disa variante të tjera, nuanca e qumështit të kokosit i përket spektrit të ngjyrave më të ftohta.

Megjithëse mund të duket se ngjyrat e tilla lidhen më shumë me ditët e ftohta, në fakt ato janë zgjedhja ideale për verën. Toni i ftohtë i kësaj ngjyre thekson në mënyrë të shkëlqyer tenin e nxirë.

Kontrasti mes lëkurës së ngrohtë, të puthur nga dielli, dhe nuancës së ftohtë e qumështore të thonjve, i bën thonjtë të duken më të bardhë dhe lëkurën më të nxirë.

Për më tepër, kjo nuancë duket bukur si në thonj të shkurtër, ashtu edhe në thonj të gjatë, pavarësisht nga forma e tyre: katrore, e rrumbullakët apo ovale.

Kjo e bën këtë trend ideal edhe për t’u eksperimentuar në shtëpi. Ju duhet vetëm një limë e mirë për formësimin e thonjve dhe një llak cilësor, që duhet aplikuar me kujdes.