Ish-deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, i është përgjigjur ashpër deklaratave të një deputeteje të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilat, sipas saj, cenojnë rëndë figurat e luftës dhe vlerat e lirisë së Kosovës.

Kadrijaj shprehu shqetësimin për nivelin e ulët të diskursit politik, duke theksuar se është e papranueshme çdo përpjekje për të bërë paralele mes nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, dhe Serbisë. Ajo vuri në dukje kontributin e Gjinit në luftë, duke deklaruar: “Kur Ardian Gjini dhe djemtë e vajzat më të mira të këtij vendi ia kthyen pushkën Serbisë, shumë prej jush as nuk e kanë ditur ku është vija e frontit.” Kadrijaj shtoi se refuzimi i Gjinit për të folur për luftën dëshmon parimet e tij, në kontrast me “makinerinë propaganduese” që, sipas saj, po përdoret kundër tij.

Ish-deputetja e AAK-së theksoi se gjuha ndarëse po dëmton Kosovën më shumë se çdo gjë tjetër, dhe se dështimet qeveritare nuk mund të mbulohen duke sulmuar figurat e luftës. “Dështimi i qeverisë nuk fshihet duke hedhur baltë mbi luftëtarët e lirisë. Ardian Gjini e ka dëshmuar veten atëherë kur duhej guxim, e jo me postime në Facebook sot,” deklaroi ajo.

Në përfundim, Kadrijaj bëri thirrje për ndaljen e “lojërave të ulëta politike” dhe kthimin e debatit në një nivel institucional dhe dinjitoz.