Deputetja e rizgjedhur, Time Kadrijaj, ka reaguar duke theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të Ligjit për Qeverinë, veçanërisht lidhur me detyrimin e anëtarëve të ekzekutivit që janë zgjedhur deputetë. Ajo insiston se zbatimi i ligjit nuk mund të jetë çështje interpretimi politik.

Kadrijaj ka sqaruar se Neni 26 i Ligjit për Qeverinë përcakton qartë se çdo anëtar i Qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Ajo thekson se kjo dispozitë ligjore nuk bën asnjë përjashtim dhe vlen edhe për Kryeministrin, pasi ai është pjesë e Qeverisë dhe i nënshtrohet të njëjtave detyrime ligjore si ministrat e tjerë.

“Në një shtet demokratik, ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin,” ka deklaruar deputetja. “Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pa dallim, të respektojë detyrimet që i imponon ligji.”

Sipas Kadrijaj, çdo shmangie nga zbatimi i Nenit 26 krijon një precedent të rrezikshëm, duke cenuar sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe vetë parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Ajo përmbyll duke theksuar se “Ligji duhet të respektohet. Jo të interpretohet sipas nevojës politike të ditës.”