Tragjedi në Meksikë: 11 të vdekur nga aksidenti i autobusit

Festa e Ditës së Punëtorëve u shndërrua në tragjedi të premten, kur të paktën 11 persona humbën jetën dhe 31 të tjerë u lënduan, pas aksidentit të një autobusi turistik në shtetin perëndimor meksikan të Nayarit.

Autobusi, i cili po udhëtonte nga shteti Jalisco, doli nga autostrada dhe u rrokullis pranë qytetit Amatlán de Cañas. Lajmin e bëri të ditur qeveria e shtetit të Nayarit, sipas agjencisë Reuters, transmetuar nga Klankosova.tv.

Sipas zyrtarëve, pasagjerët po shkonin drejt një qendre rekreative në Nayarit. Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e emergjencës nga Nayarit dhe Jalisco ndërhynë, duke mbyllur rrugën për të kryer operacionet e shpëtimit dhe për të hetuar shkaqet e aksidentit.

Aksidentet me autobus janë të shpeshta në Amerikën Latine dhe veçanërisht në autostradat e Meksikës.